Kapaciteti dhe dëmtueshmëria e ndërtesave në lagjen Ulpiana – Prishtinë
Florim H. Grajçevci & Fatos Tahiri
Kjo monografi ofron një analizë gjithëpërfshirëse të vlerësimit të kapacitetit strukturor dhe dëmtueshmërisë sizmike të ndërtesave ekzistuese në lagjen Ulpiana të Prishtinës, një zonë urbane e ndërtuar kryesisht ndërmjet viteve 1960–1999, me densitet të lartë banimi dhe funksione të përziera sociale dhe ekonomike. Në kuadër të studimit janë identifikuar dhe analizuar gjithsej 162 ndërtesa banimi kolektive, që përfaqësojnë tërësinë e fondit ndërtimor në këtë zonë. Përzgjedhja dhe klasifikimi i ndërtesave është bërë përmes verifikimit në terren, shqyrtimit të dokumentacionit ekzistues si dhe analizës së studimeve të mëparshme për mikrozonimin sizmik dhe karakteristikat lokale të tokës.
Metodologjia e zbatuar bazohet në standardet ndërkombëtare ISO 13822 (Vlerësimi i Strukturave Ekzistuese) dhe NORSOK Z-013, duke përfshirë të gjitha fazat e vlerësimit të rrezikut: përcaktimin e sistemit strukturor, përcaktimin e skenarëve të tërmeteve sipas SAEOC 2000 (Tërmet i Shpeshtë – RP72 dhe Tërmet i Rrallë – RP475), identifikimin e 10 Tipologjive Ndërtimore Model (TNM) dhe zhvillimin e analizave strukturore për secilën prej tyre. Janë përdorur metoda të avancuara si testet e lëkundjeve ambientale, modelimi analitik, analizat Push-Over dhe të historikut të përgjigjes (Time History), duke aplikuar metodën e modifikuar MADRS për përcaktimin e pikës së performancës së ndërtesave.
Rezultatet tregojnë se shumica e ndërtesave me muraturë të pambështetur (rreth 70%) dhe një pjesë e konsiderueshme e strukturave me beton të armuar (rreth 39%) arrijnë gjendjen e kolapsit në skenarin e tërmetit të rrallë (RP475).


Reviews
There are no reviews yet.